Stadiumi i Obiliqit “Agron Rama” do të shndërrohet në një mini-kamp në të cilin do t’i zhvillojë stërvitjet Kombëtarja e Kosovës.

Kjo do të realizohet në kuadër të një investimi prej 2 milionë eurosh që UEFA do të bëjë në Kosovë lidhur me përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.

Për të diskutuar lidhur me detajet e marrëveshjes së nënshkruar për këtë investim kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi priti në takim kryetarin e Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri, dhe sekretarin e Përgjithshëm, Eroll Salihu.

Njoftimi i plote:

Kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi priti në takim kryetarin e FFK-së Fadil Vokrrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Eroll Salihun.

FFK ka bërë të ditur se qëllimi i këtij takimi ishte marrëveshja për ndërtimin e Qendrës së Edukimit dhe kampit nacional të FFK-së në stadiumin “Agron Rama”, në Obiliq.

Parcela ku pritet të realizohet ky projekt, është rikthyer në pronësi të komunës së Obiliqit dhe do të jetë e gatshme për ndërtim.

Në këtë projekt, UEFA fillimisht ka ndarë 2 milion euro, kurse në faza të tjera pritet rritje e kësaj vlere të investimit.

Kryetari Gashi theksoi se ky është investimi më i madh që është bërë deri më tani në komunën e Obiliqit.

Ai tha se me këtë projekt do të përfitojë jo vetëm komuna e Obiliqit, por edhe Kosova në përgjithësi pasi që Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë aktivitetet e saja në Obiliq.

Në anën tjetër Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri në prononcimin e tij tha se Obiliqi do të jetë shtëpia e Kombëtares së Kosovës.

Ai e falënderoi kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashin për punën që ka bërë rreth procedurave për ndërtimin dhe realizimin e këtij projekti.

“Ky do të jetë një investim prej 2 milionë eurosh fillimisht, ku më pas pritet të rritet vlera e këtij investimi”, deklaroi Vokrri.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/sport/uefa-investon-2-milione-euro-ne-obiliq-per-kampin-nacional-te-ffk-se-460972/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright