(Manjola Brahaj, “Çka nuk tregohet, nuk ka ekzistue”, Om, Prishtinë, 2017)

Fatbardha Statovci

Miti

Se sa është i domosdoshëm krahasimi mes veprave e ka thënë Charles Sanders Peirce, kur ka deklaruar se “për një vepër nuk mund të themi asgjë të argumentuar, në qoftë se atë vepër nuk mund ta krahasojmë me diçka tjetër”. Kjo “diçka tjetër” të lë të konkludosh se brenda kallëpit të komparatistikës ndërfuten, përveç letërsisë, edhe vepra të tjera arti, apo edhe domene tjera shkencore. Lidhur me këtë çështje, Remak pohon se ‘krahasimi i një letërsie me një tjetër, ose me të tjerët (pra, pikturën, skulpturën, arkitekturën, filozofinë, historinë, shkencat shoqërore, shkencat e natyrës, religjionin, etj.), përbën thelbin e letërsisë komparative; del, pra, se letërsia komparative është studim i letërsisë jashtë kufijve të vendit vetiak dhe studim i marrëdhënieve midis letërsisë dhe sferave të tjera të shprehjes së njeriut”. Shkurt, një studim interdisiplinar, çfarë është edhe objekt i kësaj trajtese.

Është fakt i padiskutueshëm që miti – sidomos ai grek – është një parabazë e fuqishme e letërsisë. Mitet kanë rëndësi të madhe, sidomos, për rolin e tyre etiologjik, pra zbardhjes së zanafillës së gjërave. Në këtë drejtim, Eliade pohon se “miti rrëfen për një botë sakrale, informon në detaje për një ngjarje të ndodhur në kohën zanafillore, në kohën fantastike të fillimit”.

Po nisim nga gjeneza. Miti antropologjik lidhur me origjinën e trupit të njeriut thotë se në lashtësi, krijesat njerëzore kishin katër këmbë, katër duar, një kokë të vetme, bërë nga dy fytyra dhe kishin tre sekse: mashkull, femër dhe hermafrodit. Zeusi, i shqetësuar nga fuqia e madhe e tyre, i ndan më dysh njerëzit, si dënim për kreninë tyre, duke ngarkuar Apollonin që të mendojë forma të reja për prerjet e fituara në këtë mënyrë. Zeusi zbut dënimin dhe përshtat të dy sekset për të qenë të afta për riprodhim. Që atëherë, lind nevoja jetësore e njerëzimit, që secili të kërkojë gjysmën e vet, shpirtin e tij binjak, për të rindërtuar përsosjen. Kur gjysma, a shpirti binjak të gjendet, atëherë pason mirëkuptimi i pafund midis dy qenieve, bashkimi i tyre deri në pafundësi dhe lumturia e madhe e gjetjes së njëri tjetrit.

Bashkimi shpirtëror a fizik midis dy qenieve njerëzore, qoftë me martesë, si akt formal, apo pa të, paraqet dëshirën e njerëzimit për t’u kthyer në origjinë, pra në kohën kur ishin një. I dyzuar, njeriu kërkon gjysmën tjetër, që ta arrijë bashkimin final, mirëkuptimin dhe lumturinë e madhe.

Poezia               

 Manjola Brahaj në poezinë me titull “E ndjej se kam qenë këtu”, realizon një trajtë semantike paralele me kuptimin që shpërfaq miti në fjalë. Të nisim nga titulli. Subjekti lirik dëfton: “e ndjej se kam qenë këtu”. Meqenëse, “këtu” tregon për një vend potencial, atëherë përfundojmë se “këtu” shënjon “në një trup me ty”, pra në fillimin e lashtë, kur dy qeniet ishin të trupëzuara në një. Titulli përsëritet në vargun e parë të poezisë, për t’u mbyllur me një retiçencë, që specifikon se subjekti lirik nuk deklarohet deri në fund, nuk rrëfen vendin adekuat, duke lënë hapësira ambiguitive për pozicionimin e secilit lexues. Dëftimi vazhdon me fjalinë: “jam flijue për me u ba nji me ty”, që dëshmon për endjet, kërkimet, mundin e gjetjes së shpirtit binjak, gjysmës tjetër, për t’u bërë një. Këputet prapë fjalia, kur potencon, me siguri: “e di që kam qenë këtu…”, e, me pasiguri, e potencialisht, kur pohon: “mundet me pasë qenë këtu…”, duke plasuar fjalinë “n’kët botë universesh t’pafundmë”, pa anuar, por duke e çuar idenë deri në paskajshmëri. Më pas, rrjedhin indicet, gjithmonë dyshe, që vënë në pah idenë e dyshes së unifikuar: “kam qenë nota, kur ti ke qenë kanga/ kam qenë zgjimi kur ti ke qenë andrra/… kam qenë fjala, kur ti ke qenë goja/ kam qenë fmija, kur ti ke qenë loja/… kam qenë gjithçka e jotja, kur ti ke qenë gjithçka e imja”. Një dëshmi më shumë në favorin tonë, e jep vargu “Në nji kohë t’pakohë/ ku vitet nuk janë ma shenja orientimi”. Tash: folja është në mënyrën dëftore, koha e kryer (kam qenë). Por, derivon pyetja, KUR? Subjekti lirik thotë “në nji kohë t’pakohë, ku vitet nuk janë ma shenja orientimi”, e neve në ndihmë na vjen Eliade që thotë se koha e mitit është kohë ab initio, e vetë miti është in illo tempore, e të rrëfesh mitin do të thotë të rrëfesh për atë që ka ndodhur ab origine, ose edhe Levi-Strosi [Claude Lévi-Strauss], që thotë se miti, bashkë me muzikën, janë makina për ndaljen e kohës. Pra, kjo indicie e kronosit, “koha e pakohë”, na çon deri te gjeneza, te filli i gjithçkaje, pra te miti. Edhe në strofën e fundit kemi pohimin e përsëritur “e ndjej se kam qenë këtu”, që prapë mbyllet me retiçencë.

Kënga

Një tipizim të ngjashëm me këtë poezi, na jep kënga “Perfect two” (“Dyshja e përkryer”), nga Auburn. E gjithë kënga strukturohet në bazë të një çifti sendesh të përputhshme, që krijojnë njëshin homogjen, duke konkluduar, madje, se nëse kjo ndjesi puqjeje nuk aplikohet dyanshëm, vihet në pikëpyetje ekzistenca e njërës palë: “s’e di nëse mundem me ekzistue pa ty, sepse ti m’kompleton mue, djalë”. Ndërtime vargjesh të ngjashme si te Brahaj, hasim edhe në këtë këngë: ti mund t’jesh princi, e unë princesha jote/ ti këpuca, e unë lidhësja/ ti lapsi, e unë fleta, etj., që mpiksin idenë e unitetit të përsosur të dyshes: “zemër, unë e ti, jemi dyshja e përsosun”.

Pra, ideja e nevojës për të arritur bashkimin spiritual, apo fizik, me gjysmën tjetër, që po e quajmë shpirt binjak, rrjedhë, në njëfarë forme, ndërdijshëm, duke pasur parasysh ndjesinë e boshllëkut që ndien brenda secila qenie njerëzore. Pra, njeriu kërkon një si veten, një identitet të ngjashëm, një copëz që t’ia bashkangjesë copëzës së vet, e, kështu, të krijojë tërësinë, copën. Nëse nuk puqen identitetet, mund të ketë bashkim fizik, por jo edhe spiritual (siç nuk pati mes Kastelit dhe Marias, në romanin ‘Tuneli’, të Ernesto Sabatos), për shkak që nuk ka përputhje mes dy pjesëve të së njëjtës. Sepse, parë nga ky këndvështrim, njeriu nuk arriti kurrë ta shohë gjysmën e hequr si një adiectio-n, por si pjesë të pashkëputshme të vetes. Ndaj edhe kërkimi i pareshtur për gjetjen e saj.