Gjatë spektaklit ‘E diela shqiptare’, këngëtarit Valon Shehu i serviret një dreke sensuale ku si mbështetëse pjatash përdoren trupat e dy vajzave të reja. Kjo “tavolinë” prej mishi,gjaku e arsyeje tenton të krijojë një atmosferë provokuese për oreksin e burrave në fjalë, apo ndoshta të përfshijë në lojë zgërdhimjet dhe humorin e një publiku që rrah shplakë në mënyrë robotike për gjithçka i shohin sytë.

Si për ironi,ky produkt i Ardit Gjebreas dhe stafit te tij, i cili në 6 orë transmetim live thith vëmendjen e mijëra teleshikuesve,ka edhe dy rubrika që i dedikohen historive të vërteta njerëzore, përkatësisht “Shihemi ne gjyq” dhe “Ka nje mesazh për ty” ku një avokate dhe një prezantues dënojnë me za të lartë dhunën, keqtrajtimin dhe objektivizimin e gruas shqiptare. Sa vlen gjithë ky pazar mediatik kur nga ana tjetër shohim dy burra që hanë, jargosen dhe qeshin mbi barkun e dy vajzave??? Ku përfundon gjithë ajo llave buonsensi, kur vajzat figurojnë para telekamerës si kukulla seksuale?
Pse drejtuesi i programit propozon skena të tilla?
Pse kengetari pranon t’i qëndrojë lojës për të kënaq audiencën?
Pse vajzat nuk indinjohen nga përdorimi açik që iu bahet në emën të shikueshmërisë?
Ça shijeje pretendon me lane mrapa një format maskilist dhe ofendues për qenien njerëzore?
Televizioni shqiptar sot asht një dritare prej të cilës futet veç terr e ajër i ndytë.

Ada Halilaj