Të jesh i parë…Të jesh i parë do të thotë që të kesh të gjitha avantazhet që të jep të qenit i parë! E pra, kjo nuk ndodhi me Violetën. Violeta ishte aq e edukuar, aq e thjeshtë, aq e urtë, saqë asnjëherë nuk e përmendi këtë aspekt të veçantë dhe të bukur të jetës së saj

Nga Frederik Stamati

Të jesh i parë…Të jesh i parë do të thotë që të kesh të gjitha avantazhet që të jep të qenit i parë! E pra, kjo nuk ndodhi me Violetën. Violeta ishte aq e edukuar, aq e thjeshtë, aq e urtë, sa që asnjëherë nuk e përmendi këtë aspekt të veçantë dhe të bukur të jetës së saj. Edhe unë që kam punuar në të njëjtin institut me të, madje për një farë kohe në të njëjtin mjedis ku ka punuar edhe ajo, tani vonë dhe vetëm rastësisht, gjatë një bisedë me skulptorin Sotir Kosta, që edhe ai ka punuar në restaurim, mësova se Violeta Llavda ka qenë gruaja e parë shqiptare që u mor me restaurimin e objekteve prej qeramike të zbuluara në gërmimet arkeologjike…Dhe natyrisht që mbeta i habitur dhe i emocionuar.

Nuk dua të bëj jetëshkrimin e Violetës, madje as edhe një përmbledhje modeste të saj: atë duhet ta bëjnë bujarisht ata që e njohin shumë më mirë nga unë dhe që e ndjenë nga më afër. Unë dua vetëm ta përmend, që edhe ajo të jetë e paharruar ne tërësinë e përpjekjeve të bëra në Shqipëri për të trashëguar kulturën tonë materiale.

Violeta lindi në Durrës, më 7 nëntor të vitit 1929. Babai i saj kishte në pronësi një dyqan për syze optike, me të cilin mbante familjen prej gjashtë vetash. Aty Violeta njohu për herë të parë vështirësinë e një pune delikate. Dhe do të ishte pikërisht kjo njohje që do ta nxiste atë të punonte më vonë në restaurim, ku durimi dhe këmbëngulja janë “boshti mekanik” i punës. Por babai i Violetës do të vdiste shpejt dhe iu desh asaj, si më e madhja e fëmijëve, që të ndërpriste mësimet dhe të punonte në dyqan. Ishin vitet e luftës dhe familja atdhetare ndihmoi Lëvizjen Nacionalçlirimtare me të holla sipas mundësive dhe duke vënë dyqanin në dispozicion të zhvillimit të aktiviteteve të Frontit. Sidoqoftë shkollën do ta vazhdonte më vonë në Tiranë, madje edhe tre vjet të Teknikumit teknologjik.

Në vitin 1949 ata nuk e kishin më dyqanin, të cilin sipas një dokumenti e shitën, ndërsa sipas një dokumenti tjetër ia dhuruan shtetit. Violeta vazhdoi të punonte deri në vitin 1953 si teknike specialiste për syzet, duke kualifikuar veten e saj edhe më tepër në punët delikate. Mbasi u largua nga dyqani optik, për arsye shëndetësore punoi disa vjet në shtëpi si daktilografiste.

Në fund të vitit 1960, e pikërisht më 10 dhjetor, ajo i drejtoi një lutje Universitetit Shtetëror të Tiranës me anë të së cilës shprehte dëshirën për të punuar si restauratore në Muzeun arkeologjik-etnografik mbasi “e njihte punën e imët” dhe se mund ta bënte fare mirë atë. Duke qenë se zotëronte gjuhën franceze dhe italiane mendonte se do të kishte edhe mundësi kualifikimi profesional të mëtejshëm. Përveçse ishte e gatshme që të përfundonte edhe shkollën e mesme.

Me urdhër të administratës së Universitetit u ngrit një komision që do të shqyrtonte lutjen e Violetës dhe aftësinë e saj në punë restauruese. Komisioni drejtohej nga Kryetari i Grupit të Kulturës Materiale, Gani Strazimiri. Anëtarë ishin arkeologët Selim Islami dhe Aleksandra Mano. Për disa ditë me radhë vazhdoi “provimi” dhe në fund komisioni shprehu mendimin e përbashkët pozitiv për marrjen në punë të Violetës në cilësinë e punëtores së restaurimit. Me urdhër të zëvendës.rektorit të Universitetit, Zija Këlliçi, në tremujorin e dytë të vitit 1961 Violeta Llavda filloi punë për restaurimin e objekteve arkeologjike.

Punonte së bashku me Namik Bodinakun dhe Spiro Koçin, dy pionierët e restaurimeve në Shqipëri. E urtë, pa fjalë, e vëmendshme, e papërtuar, duke vëzhguar dhe përthithur gjithçka, arriti të përvetësonte në nivelin e kohës artin dhe punën e restaurimit. Merrej me qeramikën e zbuluar në Shqipëri gjatë gërmimeve arkeologjike të asaj periudhe kohore. “Ishte shumë e saktë në punë, ishte e papërtuar, ishte e kujdesshme”! Thuhen vetëm fjalët më të mira!

Por deri tani nuk kemi mundur të gjejmë ndonjë dokument, si për shembull ndonjë regjistër të restaurimit të objekteve, apo ndonjë kartelë restaurimi, që të na tregojë se çfarë pikërisht ka trajtuar Violeta dhe kjo do të ishte me shumë interes për historinë e restaurimit të objekteve muzeore në Shqipëri. Nga grupi i atëhershëm i punës sot është vetëm Namik Bodinaku dhe ndoshta vetëm ai do të mundet të plotësojë këtë mangësi.

Nuk e di se sa kohë vazhdoi Violeta në punën restauruese. Kur unë, në fund të vitit 1970 u emërova në Sektorin e arkeologjisë të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, Violeta punonte në bibliotekën dhe arkivin e arkeologjisë. Të gjitha vlerësimet e punonjësve të sektorit të punës, pra ato shtetërore si edhe të shoqatave të masave të asaj kohe janë maksimale. Njëlloj si edhe kur ishte në laboratorin e thjeshtë të organizuar në ato vite të largëta…