Është vrarë edhe një kosovar në luftën në Siri.

I vrari është Betim Ibrahimaj nga Komuna e Istogut. Lajmin për vrasjen e tij e ka dhënë bashkëshortja e Ibrahmajt e cila ishte së bashku me të në Siri.

Ajo përmes një bisede telefonike ka njoftuar prindërit e Ibrahimajt, se Betimi është vrarë.

“Gazeta Blic”, nga burimet e saj mëson se familja Ibrahimajt me të marrë lajmin, ka hapur edhe të pamën e cila ka përfunduar gjatë javës së kaluar.

Lajmin për vrasjen e këtij kosovari, e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, tregoi se tashmë policia ka informacione për vrasjen e Betim Ibrahimajt, por për shkak të situatës në Siri, nuk kanë ende ndonjë dokumentacion.

“Policia e Kosovës, nga burimet të ndryshme ka informacione lidhur me vrasjen e këtij personi, mirëpo referuar situatës në zonat e konfliktit, policia nuk posedon ndonjë dokumentacion apo informacion zyrtar për vrasjen e tij”, tha Hoxha.

Ibrahimaj  ishte 32-vjeçar, ai kishte  shkuar në  Siri dhe kishte luftuar atje në mbrojtje të muslimanëve, por pas një kohë ai ishte kthyer në Kosovë.

Ai akuzohej për “Organizimi dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”.

Ibrahimaj kishte thyer masën e arrestit shtëpiak edhe më herët, duke iu bashkangjitur të akuzuarve tjerë për veprat penale “Përgatitje e veprave terroriste dhe ndihmë në përgatitjen e tyre”, i njohur si rasti i “Liqenit të Badovcit”.

Pas kësaj, Ibrahimaj ka arritur të arratisej në Siri, ai ishte duke luftuar atje së bashku më bashkëshorten e tij.

Ndërkaq të dhënat e policisë tregojnë se në zonën e konfliktit janë duke qëndruar 196 qytetarë të Kosovës prej të cilëve 95 fëmijë dhe 40 gra.