Në tryezën e mbajtur sot nga Komiteti për Energjetikë i Vetëvendosjes me temë “Sfidat e energjetikës – problemet në minierat e qymyrit” mbajtën prezantimet e tyre kryetari i partisë, Visar Ymeri, drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, pastaj Ismet Raqa dhe Sylejman Krasniqi, inxhinierë dhe ekspertë të fushës si dhe deputetja Donika Kadaj.

Ekspertët me eksperiencë të gjatë pune në minierat e KEK-ut u shprehën për degradimin me intensitet të lartë në divizionin e qymyrit. Ata, sipas komunikatës së VV-së, po ashtu paraqitën dhe keqpërdorimet e gjithanshme që i janë bërë këtij sektori ku më së shumti u theksua mungesa e çfarëdo vizioni, planifikimi apo strategjie.

VV thotë se diskutim ngjalli edhe prezantimi i Ymerit, në pikën e ndërtimit të Korporatës së Qymyrit, që është dhe propozim programor i Lëvizjes.

Ai, sipas komunikatës, shpjegoi se rithemelimi i Korporatës publike të Qymyrit do të përfshijë minierat ekzistuese, fushat e shfrytëzimit dhe zonat hulumtuese.

Ymeri u ndal po ashtu në, siç tha ai, rrezikun e shtuar që po paraqitet nga improvizimet me prapavijë interesa klienteliste sa i takon sigurisë së prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.

“E në këtë drejtim Lëvizja Vetëvendosje do të intensifikojë veprimet e ndërhyrjet e saj veçanërisht në Kuvend”, tha ai.

Naim Hoxha tha se pavarësisht çështjeve që janë adresuar vazhdimit, situata po vazhdon të mbetet e njëjtë. Ai, pasi paraqiti problemet me vendimet e qeverive sa i takon trajtimit të pronave përreth minierave, vuri theksin në nevojën emergjente të strategjisë së zhvillimit të sektorit energjetik si parakusht i zhvillimit ekonomik.

“Është tejet i rëndësishëm hartimi i strategjisë zhvillimore energjetike që nuk ndalet te klishetë boshe të këtyre 18 viteve por që analizon e parashikon si do të zhvillohet si park energjetik zona e termocentraleve, se si do të mbrohet ambienti e shëndeti i popullatës dhe se si do të ndërtohen e planifikohen kapacitetet e reja energjetike”, citohet të ketë thënë Hoxha.

Inxhinieri Ismet Raqa paraqiti gjendjen e minierës, projektin fillestar për hapen e saj dhe devijimin e, siç tha ai, qëllimtë nga projekt-ideja.

“Gjendja e tashme e minierës dhe zonat ku po punohet sinjalizojnë për rreziqe të reja përpos atyre që tashmë dihen sa i takon banorëve aty pranë por edhe krizës për qymyr në gjashtëmujorin e parë të vitit në vijim 2018”, tha ai.

Kurse, inxhinieri Sylejman Krasniqi foli për shkaktarët e krizës energjetike. Problemin e shtëpive në Shipitullë dhe Hade, ai e sheh si problem që e ka zanafillën që prej vitit 2004.

“Drejtori aktual i KEK-ut do që ta reduktojë minierën vetëm në dy hektarë tokë për aq sa i kanë premtuar pronarët e tokave në Shipitullë. Kjo është shaka me opinionin sepse kjo nuk mjafton as për gjerësinë e një ekskavatori”, u shpreh ai.

Krasniqi po ashtu paraqiti të dhënat mbi, siç u shpreh ai, abuzimet milionëshe që po bëhen me fondet publike të KEK duke kontraktuar kompani private për të larguar materialet nga djerrinat ndërkohë që automjetet e specializuara në gjendje pune si dhe punëtorët e specializuar të KEK-ut qëndrojnë pa punë.

“Kriza në këtë sektor është krijuar më vetëdije. Nuk mungojnë shembujt e ngjashëm në rajon. Është e qartë se sa i takon minierave të qymyrit brenda Korporatës Energjetike të Kosovës abuzimet kanë datë, të paktën prej vitit 2004 e deri më tash. Ato janë përgjithësisht të natyrës korruptive por edhe të qëllimshme. Lejimi i ndërtimeve në zonat e shpallura me interes të veçantë, përreth minierave dhe devijimi i projekt-idesë për hapjen e minierave të reja janë dy anët e të njëjtë medalje, asaj të dobësimit të qëllimshëm të Korporatës dhe veçanërisht të divizionit të qymyrit si sektorë kyç i energjetikës në Kosovë”, tha Vetëvendosje në këtë komunikatë për media.