Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, po qëndron për vizitë në ShBA, ku ka realizuar takime individuale me kongresmenët, Robert Pitinxher, Robert Aderholld dhe Dejv Trot.

Siç bën të ditur Kabineti i kryeparlamentarit, kongresmeni, Robert Pitinxher, i cili njëkohësisht është edhe mikpritës i Forumit Parlamentar të Sigurisë, në fillim të takimit ka theksuar se është i nderuar që kryetari Xhaferi e pranoi ftesën për pjesëmarrje në këtë tubim të rëndësishëm, i cili është vazhdim i forumit prej në qershor të vitit 2017 në Riga.

Në këtë kontekst, ndër të tjerat, kryetari Xhaferi e informoi kongresmenin Pitinxher për ndryshimet ligjore me të cilat sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve tanë në formacione ushtarake të huaja.

Bashkëbiseduesit konstatuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Maqedonisë gjenden në anën e njëjtë në luftën kundër terrorizmit në botë. Sundimi i së drejtës, liria e të folurit dhe pavarësia e institucioneve janë fondamenti kryesor për ndërtimin e shoqërisë demokratike të shëndoshë të integruar në NATO dhe BE.

Gjatë takimit me kongresmenin Aderholld, i cili është edhe anëtar i grupit të miqve të Maqedonisë, kryetari i Kuvendit potencoi se vlerat euroatlantike duhet patjetër të ndërthuren në indin e jetës shoqërore në Maqedoni, pasi kjo është për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në drejtim të anëtarësimit të plotfuqishëm të Maqedonisë në NATO, kongresmeni Trot citohet të ketë theksuar se grupi i miqve të Maqedonisë nga kongresi do të vazhdojë të japë mbështetje me të gjitha mjetet dhe mënyrat që i ka në dispozicion.