Debatet për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, kanë sjellë edhe reagimin e ambasadorit të SHBA në Tiranë Donald Lu. Me anë të një statusi në rrjetin social facebook të Ambasadës Amerikane, Lu i bën thirrje Parlamentit të zbatojë Ligjin: “Kushtetuta dhe Ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit ” shkruhet në mesazhin e ambasadorit.

Pak kohë më parë OPDAT dhe EURALIUS janë shprehur për përfundimin e mandatit të prokurorit të përgjithshëm aktual dhe zgjedhjen e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm, me shumicë të thjeshtë.

Reagimi vjen menjëherë pasi Partia Demokratike i dërgoi të enjten një letër Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi ku radhiten disa arsye që sipas saj bëjnë që procedura e nisur nga Kuvendi për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm të jetë antikushtetuese.

Ndërkaq një ditë më parë kryeministri Rama i bëri thirrje opozitës që zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm ta konsideronin një pikënisje e një Pakti Kombëtar për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE.